Meqë maturantët po vërshojnë rrugët e qyteteve, unë kam përzgjedhur një histori të freskët me tregu, diçka shumë më e rëndësishme sesa veshjet estravagante e paradat e leckosura pa shije.
Sot më ndaloi një prind në mes të rrugës, një zotëri shumë i respektueshëm.
Më pyeti a jam unë Perparimi. Po, i thashë, dora vet.
Tha, unë jam prindi i D. S’jemi takuar ndonjëherë mesa di, mirëpo djali më ta tregu për ty. Keni ndejt bashkë një ditë.
(Me D., po, kam qëndru afërsisht 1 orë në mes të rrugës sepse më ndaloi të më pyeste diçka. Pastaj ra llafi i përfundimit të maturës së vet e vazhdimit të studimeve. Dëshironte ta bënte një zgjedhje.)
Më ka ardhë mirë që i ke ndihmu për me zgjedhë fakultetin.
Pse, çka ka zgjedhë? – i thashë.
Mjekësinë, tha. Kurrë ma të sigurt në jetë, se kam pa për diçka. Më ka thënë që ti i ke thanë me shku në mjekësi.
Zgjedhjen e duhur e ka ba. Përveçse është i zoti për atë punë, më e rëndësishmja edhe e do atë drejtim! – i thashë.
Më ftoi për kafe e bisedë por isha duke mbërritë një takim tjetër. E lamë për herë tjetër, dikur.
E kështu,
tek D., kam parë kapacitet të jashtëzakonshëm dhe dëshirë të madhe për kuptime të zgjeruara në kimi, biologji e lëndë tjera natyrore. Përtej kësaj shihja tek ai një njeri empatik, durimtar, të respektueshëm dhe të përgjegjshëm, tej mase.
Lexonte shumë. Fliste rrjedhshëm e qartë. Veç kësaj, i gatshëm me mësu gjëra të ndërlikuara, serioz dhe i qetë në situata të rënduara. E donte mjekësinë si opsion kryesor, mirëpo drejtimet tjera ia turbullonin paksa udhën e zgjedhjeve. Shumica nga drejtimet tjera, i lidheshin me jetën materiale, përfitimet prej tyre, mundësinë për përfitime të mëdha ose konsideratën “zgjedhje e mirë”.
Mësimdhënësit këtë punë e kanë. Udhët e turbulluara me i qartësu. Shpirtrat e trazuar me i qetësu. Kësisoji, biseduam pa presion me të e shumë shoqërisht.
U lumturova kur dëgjova diçka të tillë.
Më dha vullnet të madh.
Perparim Blakaj
Kronikë
Kronikë









