Për të shkruarit, vështirësitë, sfidat dhe sukseset e botimit të librave flet në një intervistë ekskluzive për InLajmin, Përparim Blakaj, autori i 3 librave.
InLajmi: Sa kohë keni që shkruani, a na tregoni për vështirësitë që keni hasur në fillim?
Përparim Blakaj: Nga fëmijëria e hershme kam filluar të shkruaj tregime të shkurtra dhe poezi. Këto i bëja jashtë detyrave të shkollës. Mirëpo, nuk është se i kam treguar dikujt për këtë e as që ia kam shfaqur dot këto shkrime. Esetë në shkollë kanë dhënë gjithmonë përshtypje që di të shkruajë mirë, ndërsa rreth viteve 2014-2015 kam filluar t’i shfaqë për herë të parë para njerëzve në rrjetet sociale dhe gazetat e asaj kohe që shtypeshin akoma. Ndonjëherë them sikur ta kisha bërë më herët paraqitjen, ndonjëherë them se jam ngutur duke mos e njohur se çfarë bote realisht është letërsia.
InLajmi: A mund të na flisni pak për 2 librat tuaj “Çdo gjë e mirë e ka një fund” dhe “Përtej syve”, kush ju ka motivuar që këto libra ta shohin dritën e botimit?
Përparim Blakaj: ‘’Përtej syve’’ për t’u botuar si libër, është shtyrë nga një profesor imi në fakultet, që pëlqente me gjasë shkrimet dhe punimet që i dërgoja në morfologji dhe sintaksë. Kësisoji poezitë e mbledhura disa vitet të hershme të adoleshencës, janë botuar në vitin 2017. Pas saj, në 2018, disa nga lexuesit e fituar me librin e parë dhe shumë nga shoqëria ime, ishin të mendimit se duhej të botoja në vazhdimësi. U dukej dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, se Perparimit i shkonte përshtati të shkruante e të botonte libra. Pra, kështu erdhi në jetë edhe libri Çdo gjë e mirë e ka një fund, në fillim të 2019 doli edhe në shitje.
InLajmi: Sa jeni ndarë i kënaqur me suksesin e 2 librave tuaj?
Përparim Blakaj: Të 2 librat e mi janë sikurse trashëgimtarë, janë sikur fëmijët e mi, si simbole, nderime, thelbi i një arritje ndoshta. Jam i kënaqur që librat e mi kanë qenë në duart e lexuesve, shumica nga ta kanë pasur rastin t’i kenë pa pagesë, meqë janë në të gjitha bibliotekat e Kosovës. Ndërsa, të prezentohesha me to në të gjitha panairet e librit, brenda dhe jashtë vendit, ishte ndjenjë e veçantë dhe më lumturonte.
InLajmi: Sa orë në ditë shkruani, çfarë ju frymëzon për të shkruar?
Përparim Blakaj: Varësisht sa orë më mbesin nga leximi, aq edhe shkruaj. Shpeshherë, nga mbrëmja vonë, duke bërë të kalojë e tërë nata aty. Shpeshherë nga mëngjeset e hershme, duke mos dalur jashtë fare. Koha është e vlefshme, prandaj e shfrytëzoj sikur do të vdisja nesër, që realisht ashtu edhe mund të jetë. Për frymëzimin përkujdesen ngjarjet e mëdha rreth nesh që ndodhin çdo ditë. Në thelb, gjithçka mund të jetë motivuese për ta përcjellë me një poemë: ankthi, luftrat, simbolet, vogëlia, madhështia, Zoti, njeriu, djalli, dielli, kafeneja, muret e burgut të shtëpisë, deti, penxhereja, tepsia, duhani, gotat e palara, zjarri. Fytyra reale e botës nëse shihet këndi i të qenurit i lirë, atëherë mendoj se na duhet disa mijëra vjet për ta përshkruar çka realisht ndodh.
InLajmi: Nëse do të mund t’i thoshit një këshillë vetes suaj kur keni qenë më i ri dhe keni filluar të shkruani, cila do të ishte ajo?
Përparim Blakaj: Këshilla që i jepja vetës do ishte: Ki ambicie edhe më të mëdha, bëj një bibliotekë dhjetëmijë sosh, mos nënçmo fjalët dhe veprën tënde dhe çdo ditë mëso diçka të re, të madhe, të shkruar e përjetuar bukur. Në vitet e studimeve bëj dhjetëfish më shumë sesa ke bërë, pa pendim. Jeta është shumë e shkurtër a humbim kohën pa ambicie, pa llogaritur vetën, pa libra, pa dituri. Thjesht, hesht, duro, rri larg nga perfeksionizmi, kritikat e të paudhëve dhe njerëzi e rrjedhur nga trutë. Bashkohu me të edukuarit, sepse vetëm ata janë të lirë, që lexojnë me kuptime të thella, meditojnë rreth mendjeve të mëdha dhe kryeveprave. Ky është qëllim, rrugëtim i vërtetë.
InLajmi: Na thoni 3 libra të autorëve shqiptarë dhe botërorë, të cilët mendon se duhet patjetër të lexohen
Përparim Blakaj: Libra nuk mund t’i ndajë dot 3, por do të them autorë shqiptarë dhe të huaj nga: Lasgushin, Ali Podrimjen dhe Martin Camajn nga autorët tanë, dhe Oscar Wilde, Dostoevsky dhe Tolstoy nga autorët e huaj. Listë që nuk ndalet me 3 padyshim, mirëpo meqë shumica e autorët e mi të preferuar kanë vdekur, nuk kanë mundësi për t’u hidhëruar.
InLajmi: Cila ishte një nga gjërat më befasuese që mësuat gjatë të shkruarit?
Përparim Blakaj: Gjëra më befasuese gjatë këtyre viteve në këtë rrugëtim është se nuk e kam kuptuar më kohë që letërsia është mallkim. Është dashur ta lexoja nga Thomas Mann, disa vite pasi isha zhytur në të. Ai shprehet shumë bukur: ‘’Letërsia nuk është pritje por mallkim. Kur fillon ta nxjerr kokën ky mallkim? Herët, tmerrësisht herët, një një periudhë të jetës kur duhet të kishim ende të drejtë të jetonim të qetë e në harmoni me Zotin e me Gjithësinë. Shqipe Vishaj /InLajmi/









