RECENSION
”Sinqeriteti dhe nijeti”
(Shpjegim i librit të Imam Ibën Ebi Dunja, me përkthim dhe komentim të Fitim Gërgurit)
Autori i madh, imami dhe dijetari i umetit, Ibën Ebi Dunja në literaturën islame ndër shekuj, bëri emër jo vetëm për shkak të numrit të mësuesve që kishte apo për shkak të nxënësve të tij, mirëpo për shkak të rëndësisë së temave që trajtonte dhe diturisë së madhe që posedonte në çdo shkencë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë islame. Kështu, me plot bindje mund të themi se një autor i tillë, siç ishte Imam Ibën Ebi Dunjam brendpërbrenda jetës së tij 73 vjeçare, la pas vetes vepra të paharrueshme dhe të rëndësishme për botën islame. Ebi Dunja u njoh si një transmetues i mirë, një asket i rrallë, me dije të posaçme për tema të llojllojshme, me virtyte të larta dhe besueshmeri.
Veprat e shkruara që la pas vetes janë mbi 219 sosh, ku prej tyre rreth 160 janë të lëna akoma në dorëshkrime ndërsa pjesa tjetër u botuan dhe u përkthyen në shumë gjuhë të botës. Ai meqë lindi në një familje besimtarësh, dijetarësh e asketësh, pati fatin të kishte mbi 170 mësues dhe të merrte dituri në shumë shkenca.
Libri ‘’Sinqeriteti dhe nijeti’’ është nga librat më të rëndësishëm në këtë temë. Autori këtë libër e bëri shumë të kuptueshëm e të kapshëm, përkundër pasurimit me detajeve e imtësi. Dituria që mori ndër vite dhe fakti i pamohueshëm fetar se ‘’marrja e dijes nga gjeneratat e para është shkak kryesor i kuptimit të fesë’’, e bëri këtë libër të rëndësishëm, të gdhendur me transmetues të saktë e të besueshëm, hadithe, fjalë të sahabëve, të tabiinëve dhe dijetarëve tjerë. Librat e tillë, duke përfshirë edhe shumë libra tjerë klasik islam, tek ne nuk janë të njohur dhe nevoja për përkthimin dhe gatimin e këtij libri edhe në gjuhën shqipe, ishte nevojë e kahmotshme ndërsa realizimi i tij i suksesshëm solli një frymë të re kuptueshmërie fetare.
Përkthyesi dhe komentuesi Fitim Gërguri, duke e përkthyer nga gjuha e pastër arabe dhe komentuar hadithet dhe etheret brenda librit, hapi një horizont të ri për lexuesit për ta kuptuar më mirë këtë libër dhe për të qenë për të gjithë, një reference e mjaftueshme rreth secilës temë të trajtuar. Komentimi pajiset bukur me ajete, hadithe, ethere e sqarime të edukuesve të mëdhenj të islamit ndër vite.
Emri i autorit është i mirënjohur, jeta e kaluar përmes librave dhe zhytur në njohuri, mësuesit e tij të shumtë e të ngritur e nxënësit e tij të njohur, mbetën në gjurmët e pashlyeshme të kohës si vepra të domosdoshme për secilin musliman. Falë intuitës së tij jetësore, leximeve të pareshtura të ajkës së diturisë islame dhe jetës së tij pajisur me dituri nga të katër anët, ai gërshëtoi këto dituri dhe i kurorëzoi me vepra të shumta, si manuale për një jetë me vepra të mira dhe pashmangshëm rrugës së më të ndriçuarit njeri, Pejgamberit alejhi salatu we selam.
Libri ‘’Sinqeriteti dhe nijeti’’ e hedhë në pah nevojën kryesore për zemren tonë dhe praktikisht e sqaron në imtësi seriozitetin e këtyre dy boshteve kryesore: sinqeritetit dhe qëllimit, pa të cilat nuk pranohen veprat e asnjërit prej nesh e më të cilat jeta balancohet. Sinqeriteti ka pozitë të lartë në jetën e besimtarit dhe ky element si thelb i besimit tonë, përfshinë çdo gjë që bëjmë. Pra, jemi duke diskutuar për një gjë që depërton në të gjitha poret e jetës, diçka që pastrohet. Po flasim për Njëshmërinë, veçimin e Zotit, veprat e dedikuara vetëm për Krijuesin, fokusin e plotë tek i Mëshirshmi, po flasim për bashkimin e dëshirës dhe qëllimit.
A nuk ishte pozita e këtij adhurimi të zemrës, nga gjërat më të rëndësishme të gjeneratave të arta?
A nuk është kjo temë, shpirti i veprave tona, thelbi i adhurimeve, ‘damari’ kryesor i trupit që quhet Ihsan?
A është e brendshme jonë më e mirë e se e jashtmja? Po ne, a ballafaqohemi guximshëm e pashmangshëm me qejfet tona, me unin tonë, me vetën, për ta përmirësuar?
Këshillat dhe porositë e vyeshme brenda këtyre kapitujve të librit, janë një fakt i pashmangshëm pse ky libër ia vlenë të jetë pjesë e librarive tona modeste. Përmes librit mësojmë shenjat, lumturinë, faljen, fshehjen e veprave dhe të sinqertët. Mësojmë për veprat, lutjet, rregullimin e të brendshmes, peshoren, dedikimin, pranimin e refuzimin, preokupimet tona dhe edukatën. Synimet tona duhet të jenë të qarta dhe ngritja shpirtërore duhet të jetë shkallë-shkallë e ngjitur me qëllime të ndritshme, pastrimi i vetës tonë nga shkujdesja dhe rënditja e prioriteteve përkitazi me Rrugën e të Sinqertëve.
Veprat tona mbesin në errësirë, nëse drita e sinqeritetit dhe qëllimeve të pastërta nuk ndizet. Nëse nuk përkushtohemi vetëm për Zotin, Një dhe të Vetëm, nuk i bëjmë ballë as sfidave më të lehta që na vijnë. E nëse Zoti nuk pranon asnjë vepër tonën, pa qenë e përzemërt dhe fisnike vetëm për Të, atëherë me çfarë mund të preokuptohet njeriu përveçse me pastrimin e zemrës?
Autor: Perparim BLAKAJ








